Programi:
Metodologjia e Menaxhimit dhe Referimit të Rasteve për KVSP-të përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në përpjekjet kombëtare për parandalimin dhe kundërvënien ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Fillimisht e pilotuar në pesë bashki — Elbasan, Librazhd, Cërrik, Pogradec dhe Korçë — ky version i përmirësuar përfshin katër bashki të reja — Mati, Kukësi, Lezha dhe Vlora — të cilat do të mbështeten për përmirësimin e performancës dhe të punës së KVSP-ve në fushën e P/CVE (parandalimi/kundërvënia e ekstremizmit të dhunshëm).
Kjo Metodologji shpjegon dhe orienton zbatimin e Vendimit (VKM) nr. 678, datë 30.11.2024 të Këshillit të Ministrave, “Për funksionimin e KVSP-ve” (në vijim, Akti Normativ) — duke ofruar një kornizë praktike për aktorët vendorë për të kuptuar rolet dhe përgjegjësitë funksionale dhe për një mandat efektiv të KVSP-ve si mekanizma të përhershëm në nivel vendor.
Dokumenti pajis këto mekanizma vendorë dhe institucionin e Prefektit, si Koordinator Rajonal P/CVE, me mjete dhe procedura të strukturuara për menaxhimin e rasteve (ndërhyrjet e hershme, referimet, transferimet), si dhe për promovimin e sigurisë publike në komunitetet vendore. Duke formalizuar proceset institucionale në nivel vendor, Metodologjia harmonizohet me prioritetet strategjike kombëtare dhe nxit reagim të unifikuar, shumë-sektorial ndaj rreziqeve të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Një element kryesor i kësaj qasjeje është bashkëpunimi me OSHC-të, të cilat, përmes kontributit të tyre, sigurojnë një reagim të plotë dhe gjithëpërfshirës. Ky model gjithëpërfshirës forcon përpjekjet për parandalim, ndërhyrje dhe rehabilitim, duke ndërlidhur institucionet publike me zgjidhjet me bazë komunitare, për të adresuar në mënyrë holistike ekstremizmin e dhunshëm.
Falennderimi ynë shkon për HEDAYAH – Qendrën Ndërkombëtare të Ekselencës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Bashkimit Evropian, për mbështetjen financiare të këtij projekti, përmes fazës së dytë të Programit Global STRIVE (Forcimi i Qëndresës ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm). Kjo mbështetje ka qenë thelbësore për avancimin e objektivave tona të përbashkëta, duke theksuar vlerën e bashkëpunimit ndërkombëtar në forcimin e sigurisë publike dhe qëndresës shoqërore.
Kjo Metodologji nuk është vetëm një udhëzues profesional praktik, por një dokument dinamik për veprim të koordinuar me bazë komunitare. Nëpërmjet angazhimit të vazhdueshëm të aktorëve vendorë dhe rajonalë, ne vazhdojmë të ndërtojmë një shoqëri më të sigurt dhe më gjithëpërfshirëse — një shoqëri e aftë për të parandaluar radikalizmin dhe për të forcuar qëndrueshmërinë afatgjatë
